Pothuajse të gjithë studiuesit e psikologët, janë pajtuar me faktin se vitet e para të jetës janë shumë të rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin e fëmijës dhe etapat kyçe nëpër të cilat kalojnë fëmijët në këto vite, por edhe për faktin se të gjitha tiparet, modelet dhe skemat që krijojnë dhe përvetëson fëmija gjatë kësaj moshe, do të përbëjë tiparet kryesore dhe dominuese të personalitetit të fëmijës të cilët do ta shoqërojnë atë gjatë gjithë jetës.
Duke patur parasysh se sa delikate dhe e rëndësishme është kjo periudhë zhvillimi e fëmijëve, është thelbësore që prindërit apo kujdestarët që të angazhohen dhe të investojnë në marrëdhënien me fëmijët, në të njëjtën kohë duke kuptuar drejt dhe duke respektuar fazat e tyre zhvillimore.
Një nga psikologët / studiuesit më të mëdhenj të fazave të zhvillimit psiko-social të njeriut, Erik Erikson, e definon zhvillimin në fëmijërinë e hershme (mosha nga 0 deri 8 vjeç) përmes kalimit në katër etapa kryesore. Sipas Erikson, secila etapë përbën një konflikt me të cilin fëmijët ballafaqohen e të cilin duhet ta zgjidhin në mënyrë që mbërrijë zhvillimin. Përgjatë secilës etapë dhe secilit konflikt, fëmija ka të gjithë potencialin për të zgjidhur konfliktin dhe për tu rritur, sikurse edhe potencialin për të dështuar në zgjidhjen e tij. Zgjidhja me sukses e konfliktit dhe tejkalimi i secilës etapë, shënon përvetësimin dhe zhvillimin e aftësive dhe cilësive të reja të cilat do të zgjasin gjatë gjithë jetës. Në anën tjetër, dështimi për të kaluar me sukses një etapë, shoqërohet tek fëmijët me ndjenjën e të qenit i paaftë apo i pafuqishëm.
Për ti kuptuar më mirë këto etapa zhvillimore dhe rolin thelbësor të prindërve apo kujdestarëve në udhëheqjen dhe ndihmën që fëmijët të kalojnë me sukses çdo etapë, le të ndalemi tek secila prej tyre:
Stadi i parë – Besimi kundrejt mosbesimit, zgjat nga lindja deri në 1 vjeç e gjysmë. Duke qenë se në këtë periudhë foshnjat dhe e gjithë jeta e tyre është tërësisht e varur nga prindi apo kujdestari, krijimi i besimit ndaj botës jashtë, të ndjerit të sigurt e të dashur, të ndjerit të ushqyer e të ngrohtë, kthehen në elementët kyç për të zgjidhur me sukses këtë fazë. Fëmija kështu mëson të mbështetet e të besojë tek tjetri, dhe në të njëjtën kohë të ndihet i sigurt në botën që e rrethon. Në të kundërt, fëmija edhe pasi të rritet do të ketë vështirësi të krijojë raporte besimi të qëndrueshme dhe do të krijojë një ndjenjë pasigurie dhe paqëndrueshmërie ndaj tjetrit apo botës përreth.
Për të gjitha këto arsye, është tepër e rëndësishme që ju si prindër apo kujdestar të jeni gjithnjë aty për fëmijën dhe plotësimin e nevojave të tij/saj, duke i ofruar vazhdimisht siguri, dashuri e kujdes.
Stadi i dytë – Autonomia kundrejt turpit ose dyshimit nis nga 1 vjeç e gjysmë deri në 3 vjeç. Kjo është periudha kur fëmijët fillojnë të fitojnë pakëz “pavarësi”. Kjo autonomi e tyre vërehet në disa veprime të thjeshta që ata nisin ti bëjnë vetë. Është thelbësore që t’i lejoni fëmijët të bëjnë zgjedhje e të ndërmarrin veprime pasi të gjitha këto i shërbejnë përvetësimit të ndjenjë së kontrollit dhe autonomisë mbi veten. Nëse kjo fazë kalon me sukses, fëmijët fitojnë siguri dhe vetëbesim në dallim nga ndjesia e të qenit i papërshtatshëm apo e dyshimit te vetvetja, të cilat janë tipare që krijohen nëse ky stad nuk kalohet si duhet.
Si pasojë, është shumë e rëndësishme që gjatë kësaj etape të mbështesni fëmijën tuaj në veprimet fillestare që ai/ajo ndërmerr në mënyrë të pavarur, sigurisht duke qenë pranë për çdo nevojë që fëmija mund të ketë.
Stadi i tretë – Iniciativa kundrejt ndjenjës së fajit zgjat nga 3 deri në 5 vjeç. Kjo është një etapë në të cilën fëmijët fillojnë të zgjerojnë më tej cilësitë e përvetësuara ne stadet e mëparshme, përmes zgjerimit të fuqisë dhe kontrollit ndaj botës jashtë. Fëmijë fillon të udhëheqë lojën dhe ndërveprimet sociale. Kalimi i suksesshëm i kësaj etape zhvillon tipare e liderit tek fëmijët e më vonë tek të rriturit. Në të kundërt, fëmijët përjetojnë ndjenjë të fajit, dyshimit dhe zhvillojnë mungesë të dukshme të marrjes së iniciativës.
Për këtë, është me rëndësi që prindërit apo kujdestarët të inkurajojnë vazhdimisht iniciativat që fëmija ndërmerr duke e lejuar atë të udhëheqë lojën dhe ndërveprimin me ju. Nëse ju e kritikoni vazhdimisht fëmijën për çdo veprim të kryer, ju do e zbehni marrjen e iniciativës nga fëmija gjë e cila do ta shoqërojë atë edhe kur të rritet.
Stadi i katërt – Prirja / zelli për punë kundrejt ndjenjës së inferioritetit zgjat nga 5 deri në 12 vjeç. Pas moshës 5 vjeçare e më tej, fëmijët nisin të krijojnë ndjesinë e krenarisë për cilësitë që zotërojnë tashmë dhe detyrat që arrijnë të përmbushin me sukses. Kalimi me sukses i kësaj etape rezulton me rritje të ndjenjës së kompetencës dhe besimit të fëmijës në aftësitë dhe cilësitë që ai/ajo ka. Në të kundërt fëmija fillon të zhvillojë një ndjenjë inferioriteti dhe dyshimi e mosbesimi në vetvete apo në aftësitë e tyre. Kjo situatë përcillet gjatë gjithë jetës së individit, përfshirë edhe vështirësitë për sukses në punë.
Prandaj është shumë e rëndësishme që ta inkurajoni vazhdimisht fëmijën dhe ta udhëhiqni atë me kujdes drejt fitimit të sigurisë në vete dhe besimit në aftësitë e fëmijës për të patur sukses në detyrat që i ngarkohen.