Në Kosovë, fëmijëria e hershme mbetet niveli më i pa priotizuar ku investimet janë minimale. Fëmijëria e hershme kuptohet si nocion i cili përfshin më shumë edukimin parashkollor. Shërbimet për zhvillimin në fëmijërinë e hershme nuk janë të integruara mes sektorëve të arsimit, shëndetësisë dhe atë të mirëqenies sociale. Shërbimet janë të izoluara, të pa integruara dhe të pakoordinuara.
Kosova vazhdon të mbetet vendi me përfshirjen më të ulët të fëmijëve në edukimin parashkollor në Europë. Vetëm 4.8% e fëmijëve të moshës së nivelit parashkollor janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Shkaku kryesor për një pjesëmarrje kaq të ulët është kapaciteti i vogël absorbues i rrjetit të institucioneve parashkollore me kosto të përballueshme dhe vetëdijes së përgjithshme për format tradicionale të edukimit brenda familjes.
Të gjitha institucionet parashkollore publike janë të koncentruara në zona urbane. Zonat rurale thuajse janë të përjashtuara nga ofrimi i shumë shërbimeve për zhvillimin në fëmijërinë e hershme. Poashtu fëmijët që vijnë nga grupet e margjinalizuara edhe pse janë të liruar nga pagesa, shumë shpesh nuk përfshihen për shkak të kufizimit të numrit të fëmijëve. Pra, nga shërbimet e fëmijërisë së hershme kryesisht përfitojnë një shtresë e caktuar e popullatës e cila ka një situatë më të favorshme financiare dhe sociale.
Duke qenë se vetëm 4.8 % e fëmijëve të moshës së nivelit parashkollor janë të përfshirë në institucionet parashkollore, pjesa dërmuese e fëmijëve në vitet e para mbeten në mjediset në shtëpi, kryesisht me nënat e tyre (shpesh, të papuna) si kujdestare parësore pa ndonjë mbështetje profesionale institucionale.
Në Kosovë ka mungesë të programeve alternative për zhvillimin në fëmijërinë e hershme. Është e domosdoshme zhvillimi i programeve për mbështetjen e prindërve, familjeve dhe kujdestarëve në ambientet familjare të fëmijëve, jashtë mjediseve institucionale.
Kjo politikë rekomanduese përshkruan situatën lidhur me zhvillimin në fëmijërinë e hershme dhe ofron një pasqyrë të disa prej fushave prioritare për ndërhyrje në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe rekomandime se si duhet adresuar dhe trajtuar ato.
Duke pasur parasysh që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është dikasteri udhëheqës për zhvillimin e politikave dhe strategjive për zhvillimin e fëmijërisë së hershme, kjo politikë është adresuar drejt MAShTI por edhe sektorëve të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.
Çështjet prioritare të adresuara në këtë Politikë janë:
- Fuqizimi i mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve në fëmijëri të hershme;
- Kurrikulat parashkollore (0 - 5 dhe 5 - 6)
- Librat për moshën parafillore (grup mosha 5 – 6)
- Integrimi i shërbimeve për zhvillimin në fëmijërinë e hershme
- Zhvillimi i programeve alternative për zhvillimin në fëmijërinë e hershme
- Partneriteti publiko – privat si mundësi për rritje të përfshirjes së fëmijëve në edukim parashkollor
- Infrastruktura dhe standardet për zhvillimin në fëmijërinë e hershme
Për të lexuar më shumë rreth çështjeve prioritare që kanë nevojë për ndërhyrje në hartimin dhe zbatimin e politikave si dhe rekomandime se si duhet adresuar dhe trajtuar ato, klikoni në vegëzën më poshtë ku do të gjeni raportin e plotë të hartuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në partneritet me rrjetin KRAEEYN.