logo

Gjidhënia

Të ushqyerit e duhur të fëmijëve mund të rris mundësitë e tyre për mbijetesë, poashtu mund të promovojë rritje dhe zhvillim optimal, posaçërisht në dritaren kritike nga lindja e deri në moshën 2 vjeçare.

Qumështi i gjirit është i vetmi i cili ka të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për rritjen e shëndetshme të foshnjes. Poashtu, me qumështin e gjirit foshnja merr antitrupa të rëndësishëm që veprojnë drejtpërdrejt kundër bakterieve, viruseve dhe infeksioneve, mbron foshnjet nga pneumonia, diarreja, diabeti, astma, sëmundjet e zemrës dhe mbipesha, prandaj qumështi i gjirit njihet edhe si faktori kryesor shtytës i sistemit imunitar të foshnjës. Gjidhënia poashtu ndikon në ndërtimin e marrëdhënies nënë-fëmijë dhe shëndetin mendor si të foshnjës ashtu edhe të nënës.

UNICEF dhe OBSH rekomandojnë që foshnjat duhet të ushqehen me gji brenda orës së parë të lindjes dhe të ushqehen vetëm me gji gjatë 6 muajve të parë të jetës.

Por sa e praktikojnë nënat gjidhënien në Kosovë? Sipas raportit MICS 2020 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe UNICEF, 32% e të posalindurve ushqehen me gji brenda orës së parë pas lindjes, ndërsa të ushqyerit vetëm me gji është prevalent vetëm për 29% të fëmijëve nën moshën 6 muajsh.

Shumë nëna në Kosovë nuk e fillojnë të ushqyerit me gji mjaftueshëm herët, apo nuk i ushqejnë fëmijët e tyre vetëm (ekskluzivisht) me gji për 6 muajt e rekomanduar apo ndalojnë të ushqyerit me gji shumë herët. Për shkak të informimit jo të mirë, nënat kanë tendenca për të kaluar në qumësht formulë, i cili mund të ndikojë në kufizim në rritje dhe kequshqyerje me lëndë mikro ushqyese dhe mund të jetë i pasigurt nëse kushtet higjienike, përfshirë ujin e pijshëm, nuk janë të pranishme.

Poashtu shumë nëna heqin dorë nga ushqimi me gji për shkak të keq informimit se foshnja e cila ushqehet me qumësht formule fiton peshë më të madhe. Kur nëna fillon t’ia plotësojë ushqimin foshnjes, duke i dhënë disa herë në ditë nga një shishe qumësht formule, interesimi i foshnjes për të thithur zvogëlohet. Foshnja fillon të thithë më pak gjirin, gjë që u dërgon sinjal gjinjve që të prodhojnë më pak qumësht, dhe në këtë mënyrë ndërpritet procesi i të ushqyerit me gji.

Gjithashtu, ekzistojnë vështirësi objektive gjatë ushqimit me qumësht të nënës, si për shembull dhembja dhe pëlcitja e thimthave, thimtha të rrafshët dhe të futura brenda, inflamacioni i gjinjve, të cilat nënat e reja dekurajohen dhe ia ndërpresin foshnjes gjirin.

Për t’u përballur qetësisht me ushqyerjen me gji, nëna ka nevojë për më shumë energji, proteina, vitamina dhe kripëra minerale si kalciumi, fosfori, bakri dhe zinku. Është llogaritur që për të prodhuar 700-800 ml qumësht në ditë, dieta e nënës duhet të shtohet me 500 kalori më shumë.

Por a sjell gjidhënia dobi edhe për nënën?

Ushqyerja me gji djeg kaloritë shtesë, kështu që mund të ju ndihmojë të humbni peshën e shtatzënisë më shpejt. Poashtu gjatë gjithënies lirohet hormoni i njohur si oksitocinë, i cili ndihmon që mitra juaj të kthehet në gjendjen/madhësinë e saj para shtatëzanisë dhe poashtu mund të zvogëlojë gjakderdhjen e mitrës pas lindjes. Ushqyerja me gji gjithashtu ul rrezikun për kancer të gjirit dhe vezoreve.

KOMF inkurajon të gjitha nënat të praktikojnë gjidhënien, të ushqejnë foshnjet me qumështin e gjirit, për të rritur fëmijë të shëndetshëm si dhe për një shëndet më të mirë për nënat.

Komente

Ende nuk ka komente të shtuara