Periudha e zgjatur e izolimit, kushtet e rënda të jetesës dhe vështirësitë financiare kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe në përgjithësi rritjen e dhunës në familje.
Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kosovës, në muajin mars të vitit 2019 janë raportuar 124 raste, ndërsa gjatë muajit mars të vitit 2020 janë raportuar 169 raste, duke evidentuar kështu 36% rritje të raportimit të rasteve të dhunës në familje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Derisa situata e krijuar si pasojë e pandemisë Covid-19 ka bërë që puna në gjykata të ngadalësohet dhe seancat gjyqësore jourgjente të shtyhen, institucionet e zbatimit të ligjit dhe autoritetet gjyqësore duhet të ndërmarrin masat e menjëhershme për t’iu siguruar viktimave mbrojtjen e duhur.
Në anën tjetër, është për tu vlerësuar fakti që strehimoret për mbrojtjen e fëmijëve viktima të dhunës në familje dhe familjet stehuese kanë vazhduar të ofrojnë ofrojnë strehim, kujdes, dhe shërbime 24 orë për fëmijët viktima.
Në një situatë të tillë të rritjes së numrit të rasteve të dhunës, duhet të bëhet vlerësimi dhe menaxhimi i rrezikut për viktimat e dhunës. Fokus i madh duhet t’i jepet poashtu investimit në krijimin e shërbimeve cilësore për mbrojtjen dhe ri-integrimin e viktimave të dhunës.
Dhuna përbën një nga format më të rënda të shkeljes së të drejtave të fëmijëve. Ekspozimi i hershëm ndaj formave të ndryshme të dhunës qoftë si viktimë apo dëshmitar i saj është kritik dhe ka pasoja nga më të rëndat për vetë zhvillimin e fëmijës.
KOMF rithekson që dhuna ndaj fëmijëve është e pa pranueshme dhe është vepër penale e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe obligim ligjor i secilit qytetar për ta raportuar atë.
Prandaj, KOMF bën thirrje për raportim të rasteve të dhunës dhe ndërmarrjen e masave nga institucionet për rehabilitim dhe sigurimin e mirëqenies së viktimave dhe ndëshkimin e kryerësve.