Vitet e para të jetës janë tejet domethënëse e të rëndësishme për zhvillimin e fëmijës. Zhvillimi i shëndetshëm gjatë periudhës së fëmijërisë, rritja në një ambient të ngrohtë e pranues, eksperiencat pozitive dhe marrëdhëniet e qëndrueshme me personat e tjerë, janë elementë të cilët kanë ndikim të madh për vitet e mëpasshme të secilit individ, pas arritjes së moshës madhore. Duke qenë se familja është e një rëndësie jetike për fëmijën, një mjedis që promovon dhunën si dhe rritja në ambient ku ushtrohet dhunë, ka pasoja nga më të rëndat për vetë zhvillimin e fëmijës.
Dhuna mund të ndodhë në secilin mjedis ku fëmija zhvillon ekzistencën e tij, duke përfshirë këtu edhe ato mjedise ku ai do të duhej të ishte më i sigurt e i mbrojtur si familja, kopshti, komuniteti etj.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar llojet e keqtrajtimit ndaj fëmijëve, në 4 forma të ndryshme të shprehjes së tij, që janë: abuzimi fizik, abuzimi seksual, abuzimi emocional / psikologjik dhe neglizhimi.
Disa nga pasojat më flagrante të dhunës, ndër të tjera mund të jenë: Vdekja, lëndimet fizike, sëmundjet fizike si probleme zemre, sëmundje të mushkërive ose mëlçisë, kanceri, obeziteti, etj. të cilat mund të vijnë si pasojë e formave të ndryshme të dhunës të shkaktuara ndaj fëmijëve. Fëmijët viktima të dhunës, janë më të prirur të vuajnë prej këtyre sëmundjeve kronike, gjatë moshës madhore.
Zhvillimi kognitiv po ashtu mund të dëmtohet rëndë tek fëmijët e abuzuar dhe të neglizhuar. PTSD ose Çrregullimi i stresit Post-Traumatik mund të shkaktohet si pasojë e përjetimit të situatave ekstreme të dhunës apo të cilat përjetohen në vazhdimësi gjatë fëmijërisë. Gjithashtu forma të tjera të çrregullimeve si depresioni, çrregullimi i ankthit, çrregullimet e të ushqyerit etj. mund të lidhen me forma të ndryshme të dhunës të ushtruar ndaj fëmijëve në fëmijëri.
Dhuna ndikon edhe në vështirësitë në sjellje të cilat mund të reflektohen në vitet më pas si përdorimi i alkoolit, abuzimi me substanca dhe deri në përfshirje në aktivitete seksuale me rrezik të lartë, rreziku për të rënë në konflikt me ligjin etj. Në rast të dhunës së zgjatur, duke përfshirë rastet kur fëmijët janë dëshmitarë të dhunës, pasojat mund të çojnë në dëmtime sociale, emocionale dhe njohëse, si dhe sjellje që shkaktojnë sëmundje, lëndime dhe probleme sociale. Studimet dëshmojnë se shuplaka si pjesë e ndëshkimit trupor lidhet me agresion, sjellje antisociale, probleme të shëndetit mendor, vështirësi konjitive, vetëvlerësim të ulët dhe aspekte të tjera negative.
Të dhëna për metodat e disiplinimit të fëmijëve në Kosovë:
Sipas Anketës së Treguesve të Shumëfishtë 2020, Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF, në Kosovë, 1 në 7 nëna / kujdestare të fëmijëve të moshës 1 - 14 vjeç raportuan se ndëshkimi fizik është i nevojshëm për të rritur ose edukuar një fëmijë siç duhet. Ndërsa 24 përqind e fëmijëve të moshës 1 - 14 vjeç janë të disiplinuar vetëm me metoda jo të dhunshme, një pjesë e madhe e fëmijëve (72 përqind) raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion psikologjik dhe / ose ndëshkim fizik).
Përqindja e fëmijëve në këtë moshë që jetojnë në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që raportohet të jenë disiplinuar me dhunë është 80 përqind (16 përqind përjetuan vetëm metoda të disiplinës jo të dhunshme).
Dhuna e përdorur si mjet disiplinimi në Kosovë
Dhuna dhe ndëshkimi trupor i fëmijëve në Kosovë mbetet një normë sociale e pranuar dhe e aplikuar nga shoqëria jonë, si një mjet edukimi dhe disiplinimi për fëmijët. Ndërkohë që efektet negative e afatgjata që përdorimi i dhunës ka në mirëqenien e fëmijës për shumë prindër janë të panjohura, janë anashkaluar dhe injoruar. Shpesh vetë prindërit janë ata përdorin forma të ndryshme të dhunës si për shembull dhunë fizike apo emocionale. Në të njëjtën kohë ata mund edhe ta inkurajojnë atë në ambiente të tjera jashtë familjes ku fëmija kalon kohën e tij. Edhe pse tashmë kanë nisur shumë iniciativa të cilat promovojnë stilet pozitive të prindërimit dhe edukimit të fëmijës, ende mbetet shumë punë për të bërë në mënyrë që mendësia se dhuna disiplinon, të mos ekzistojë më. Sigurisht që fëmijët kanë nevojë për disiplinë në jetën e tyre përmes vendosjes së kufinjve. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se ndëshkimi trupor sjell vetëm efekte negative në zhvillimin mendor afatgjatë të fëmijëve duke krijuar kështu precedentë për dhunë në të ardhmen.
Prandaj, KOMF rekomandon zhvillimin e programeve të disiplinës pozitive për prindërit, kujdestarët dhe profesionistët që punojnë në mbrojtje të fëmijëve, për të zvogluar praktikat e dhunshme për disiplinimin dhe mirërritjen e fëmijëve, duke krijuar një brez të ri gjeneratash jo të dhunshëm.
KOMF bën me dije që dhuna ndaj fëmijëve është e ndaluar dhe e sanksionuar në Kodin Penal të Kosovës. Për më tepër, Kosova ka ndaluar edhe ndëshkimin fizik të fëmijëve në vitin 2019, përmes miratimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.