logo

Vaksinimi i fëmijëve gjatë pandemisë Covid -19

Për shkak të pandemisë Covid -19, shërbimi për imunizimin/vaksinimin e fëmijëve i ofruar në kuadër të Qendrave të Mjekësisë Familjare, është ndërprerë për gati dy muaj. Si pasojë, shumë fëmijë kanë mbetur pa u vaksinuar/imunizuar bazuar në kalendarin e obliguar të imunizimit në Kosovë përgjatë këtyre dy muajve.

Mirëpo, nga data 7 Maj 2020, Qendrat e Mjekësive Familjare kanë rifilluar vaksinimin e fëmijëve, proces i cili do të zhvillohet në 60 qendra gjithandej Kosovës. 60 tenda janë vendosur në pika të ndryshme në tërë Kosovën për të vazhduar imunizimin e rregullt të fëmijëve.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjor të fëmijëve, të vaksinojnë fëmijët për të parandaluar sëmundjet të cilat mund të jenë me pasoja fatale apo vdekjeprurëse për fëmijët.

Në Kosovë 95% e fëmijëve janë të vaksinuar me DTP3, 79% janë vaksinuar plotësisht përderisa vetëm 1/3 e fëmijëve janë plotësisht të vaksinuar në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Një nga arsyet për mbulimin e ulët të imunizimit në Kosovë konsiderohet mungesa e njohurive dhe ndërgjegjësimit tek prindërit për pasojat shëndetësore tek fëmijët që nuk vaksinohen. Është më se e nevojshme që institucionet shëndetësore të kujdesit primar (Qendrat e Mjekësisë Familjare) të realizojnë shërbimin e vizitave mjekësore në shtëpi për evidentimin e fëmijëve të pa vaksinuar dhe zbulimin e sëmundjeve të fëmijëve që shpeshherë mund të jenë me pasoja fatale për shëndetin e fëmijës. Kjo do të ndihmonte në arritjen e grupeve të cenueshme, në nxitjen e përfshirjes sociale si dhe të sigurohet qasja në shërbimet bazë shëndetësore për grupet e margjinalizuara, që shpeshherë për shkak të ndërgjegjësimit të ulët, dështojnë të realizojnë imunizimin e fëmijëve të tyre.

Komente

Ende nuk ka komente të shtuara