logo

Këshilla për shëndetin oral

Funksioni primar i dhëmbëve është procesimi apo përtypja e ushqimit, prandaj dhëmbët luajnë një rol thelbësor në shëndetin e fëmijës. Përpos funksionit të të ushqyerit, dhëmbët kanë rol të rëndësishëm edhe në të folur sepse mundësojnë që ne t’i shqiptojmë fjalët ashtu si duhet. Një tjetër rol i rëndësishëm është roli estetik – dhëmbët e bardhë dhe të bukur zbukurojnë buzëqeshjen tonë.

Studimet e pakta që janë bërë në Kosovë tregojnë se gjendja e shëndetit oral në Kosovë është e rëndë. Kariesi i hershëm mbetet një brengë shëndetësore tek fëmijët në Kosovë, kjo kryesisht si pasojë e konsumimit të sheqerit, të ushqyerit gjatë natës dhe higjienës së dobët orale. Sipas studimeve thuhet se përhapja e kariesit është përafërsisht 91.2% tek fëmijët e moshës 2 – 6 vjeç. Kryesisht ekziston një nivel i ulët i vetëdijesimit për mbrojtjen e shëndetit oral, ku afër 69% e fëmijëve në Kosovë vizitojnë stomatologun vetëm kur kanë dhimbje. 

Pastrimi i dhëmbëve të fëmijëve duhet të fillojë që nga dalja e dhëmbit të parë!

Kohëzgjatja e pastrimit të dhëmbëve është e rëndësishme. Mundohuni që pastrimin e dhëmbëve ta bëni sa më argëtues për fëmijën. Kështu do të krijoni shprehi të mirë që nga mosha e fëmijërisë.

Fëmijën duhet ta asistoni gjatë pastrimit të dhëmbëve deri në moshën 10 vjeçare pasi që motorika është ende e pazhvilluar dhe fëmija nuk mund të bëjë pastrimin optimal të dhëmbëve.

Ushqimi i balancuar dhe i shëndetshëm është i rëndësishëm jo vetëm për dhëmbët por edhe shëndetin e fëmijës. Fëmijët duhet të konsumojnë më shumë fruta dhe perime duke reduktuar sheqerin apo produkte të cilat përmbajnë sheqer të fshehur.

Kujdesu për shëndetin oral sepse është pjesë e shëndetit të përgjithshëm!

Për të mësuar më shumë rreth shëndetit oral si dhe për çështjet e tjera si: kujdesi dhe zhvillimi në fëmijërinë e hershme, rëndësia për ndërhyrje të hershme dhe ndikimi i televizionit tek fëmijët, klikoni në vegëzën më poshtë ku do ta gjeni dokumentin e plotë të përgatitur nga organizata anëtare e KOMF, Save the Children në Kosovë.

https://kosovo.savethechildren.net/sites/kosovo.savethechildren.net/files/library/ALB_ECCD_compressed%20%281%29.pdf

Komente

Ende nuk ka komente të shtuara