logo

Fëmijët me aftësi të kufizuara gjatë pandemisë Covid-19

Pandemia Covid-19 e përhapur në gjithë botën, ka shkaktuar dëme të mëdha dhe afatgjate në secilën shoqëri. Të prekur nga kjo situatë janë posaçërisht grupet e cenueshme, përfshirë këtu fëmijët me aftësi të kufizuara. Gjendja e rëndë e fëmijëve me aftësi të kufizuara, ka ardhur në pah edhe më shumë me shfaqjen e pandemisë Covid-19.

Lidhur me këtë KOMF në vazhdimësi ka monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse në menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19, me fokus mbrojtjen e fëmijëve dhe vazhdimisht merr informata nga organizatat anëtare të cilat ofrojnë shërbime direkte në terren për fëmijët e cenueshëm.

Bazuar në këto informacione, KOMF konstaton që fëmijët me aftësi të kufizuara janë prekur në mënyrë të konsiderueshme nga izolimi, qasja e kufizuar ose nuk kanë fare qasje në shërbimet themelore siç janë shërbimet shëndetësore, sociale si mbështetja psikologjike, terapitë e nevojshme ose rehabilitimi. Kjo për shkak që në Kosovë, ofruesit e shërbimeve sociale, arsimore dhe disa nga shërbimet shëndetësore për fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbyllur shërbimet direkte, duke u bazuar në vendimin e autoriteteve shtetërore. Kështu, pjesa dërrmuese e ofruesve të shërbimeve direkte kanë transformuar punën e tyre në seanca këshillimi online për fëmijë, mbështetje të prindërve dhe rritje të vetëdijesimit. Edhe pse shumë prej ofruesve po punojnë që të ju ofrojnë fëmijëve me aftësi të kufizuara shërbime online, jo të gjithë nga kjo kategori kanë qasje në pajisje teknologjike dhe internet. Përveç donacioneve nga vullnetarët të cilët kanë dhuruar pajisje teknologjike si laptopë dhe telefona të mençur për fëmijë, Qeveria nuk ka bërë diçka në këtë drejtim.

KOMF ka shprehur shqetësimin e thellë për gjendjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve ose kujdestarëve të tyre, e cila gjatë kohës së pandemisë është rënduar edhe më shumë. Duke u bazuar në nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre, KOMF ka kërkuar nga institucionet qeveritare që të sigurojnë qasje të plotë në shërbime shëndetësore, sociale dhe arsimore për të gjithë fëmijët pa dallim, përfshirë këtu fëmijët me aftësi të kufizuara.

KOMF në veçanti kërkon mbështetje profesionale për prindërit/kujdestarët si dhe familjet strehuese, kjo duke qenë se kriza dhe masat e izolimit mund të përkeqësojnë shëndetin mendor dhe gjenerojnë frikë dhe ankth, prandaj mbështetja profesionale për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara, është e rëndësishme dhe e domosdoshme.

KOMF u bën thirrje gjithë shoqërisë që të solidarizohen me fëmijët me aftësi të kufizuara, posaçërisht gjatë kësaj periudhe, duke ofruar më shumë mbështetje e dashuri për ta.

Të dhëna për fëmijët me aftësi te kufizuara në Kosovë bazuar në Anketën e Treguesëve të Shumëfishtë të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF në vitin 2020:

8% e fëmijëve të moshës 2 – 17 vjeç në Kosovë, janë raportuar të kenë vështirësi funksionale të paktën në një domen. Ndërsa një përqindje më e lartë është raportuar për fëmijët e kësaj moshe që jetojnë në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptianë (14 %).

4% e fëmijëve të moshës 2 – 4 vjeç janë raportuar të kenë vështirësi funksionale. Mes fëmijëve të moshës 2 - 4 vjeç, 2 % e fëmijëve nga popullsia e përgjithshme dhe 3 % e fëmijëve që jetojnë në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptianë u raportuan të kenë vështirësi funksionale në fushën e komunikimit.

Gjeni më poshtë vegëzën e video-animacionit me rekomandime për personat me aftësi të kufizuara, për kujdestarë dhe për komunitetin në përgjithësi se si të përballojnë situatën me pandeminë Covid-19!

Video-animacioni është pjesë e hulumtimit "Mirëqenia e personave me aftësi të kufizuara gjatë situatës me COVID-19’’, të përgatitur nga organizata anëtare e KOMF, HANDIKOS.

Komente

Ende nuk ka komente të shtuara