Të gjithë fëmijët kanë të drejtën për ushqim të shëndetshëm dhe të sigurtë. Ushqyerja është një nga faktorët kryesorë që ndikon në zhvillimin e fëmijës.
Foshnjat duhet të ushqehen vetëm me gji gjatë 6 muajve të parë të jetës. Pas gjashtë muajsh, ushqimet e ngurta, gjysmë të ngurta dhe të buta duhet të futen në mënynë ditore të fëmijës, për të plotësuar nevojat ushqyese të një fëmije.
"Fëmijëria e hershme" fillon para lindjes së fëmijës kur bëhet fjalë për të ushqyerit. Nën-ushqyerja gjatë shtatzënisë pengon rritjen e fetusit dhe mund të çojë në zhvillim të dobët të trurit që mund të rezultojë në sëmundje kronike të pakthyeshme. Nën-ushqyerja e një nëne gjidhënëse mund të ndikojë po ashtu negativisht në zhvillimin e një fëmije, veçanërisht në 6 muajt e parë kur qumështi i gjirit është gjithçka që fëmija konsumon. Nëna gjidhënëse ka nevojë për më shumë energji, proteina, vitamina dhe kripëra minerale si kalciumi, fosfori, bakri dhe zinku. Është llogaritur që për të prodhuar 700-800 ml qumësht në ditë, dieta e nënës duhet të shtohet me 500 kalori më shumë.
Ushqimi është thelbësor për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës gjatë viteve të para të jetës. Nëse fëmijët nuk marrin sasitë e duhura të proteinave, yndyrnave të shëndetshme, vitaminën A, vitaminën C, hekurin, zinkun dhe kalciumin, ata mund të sëmuren, të kenë zhvillim më të ulët fizik dhe psiko motorik. Konkretisht, varësisht nga mosha dhe zhvillimi, fëmijët duhet të kenë një dietë të pasur ushqimore me dridhëra, fruta, perime, agrume, mishëra, produkte të qumështit etj.
Mungesa e ushqimit apo kequshqyerja kanë pasoja afatgjate dhe lidhen me zhvillimin e sëmundjeve kronike sikurse diabeti dhe sëmundjet e zemrës. Por kushtet e lidhura me kequshqyerjen gjithashtu mund të shkaktojnë vonesa në zhvillimin mendor të fëmijës, që ndikojnë në aftësinë e një fëmije për të mësuar.
Kur fëmijëve u ofrohet ushqim i shëndetshëm, ata kanë gjasa që të jenë më pak të ekspozuar ndaj sëmundjeve dhe infeksioneve dhe ata arrijnë nivelin e tyre të mundshëm të rritjes dhe zhvillimit.
Kequshqyerja është e lidhur me më shumë se gjysmën e të gjitha vdekjeve të fëmijëve në botë. Pesha për moshën është një njësi matëse e të kequshqyerit akut dhe atij kronik, ndërsa gjatësia për moshë është njësia matëse e rritjes lineare.
Arsyet kryesore për keqshqyerjen, veçanërisht për fëmijët janë: varfëria, mungesa e ushqimit, kujdesi i pamjaftueshëm, higjiena jo e mirë, cilësia e dobët në ushqim, praktikat jo të mira të ushqyerjes dhe kujdesit për foshnjën apo fëmijën. Më saktësisht, shkaqet e kequshqyerjes janë një kombinim i mos sigurimit të ushqimit të shëndetshëm dhe të mjaftueshëm në familje.
Të dhëna për gjendjen e të ushqyerit të fëmijëve në Kosovë:
- 1 në 25 fëmijë nën moshën 5 vjeç në Kosovë janë nën peshë, ndërsa 1 në 17 fëmijë nën moshën 5 vjeç janë mbipeshë – Anketa e Treguesve të Shumëfishtë 2020, Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF.