logo

Stilet e prindërimit dhe ndikimi që ato kanë në rritjen e fëmijës

Prej shumë vitesh studiuesit dhe psikologët e fushës së zhvillimit, janë përpjekur të studiojnë dhe të kuptojnë se cilat aspekte të fëmijërisë ndikojnë dhe determinojnë tiparet dhe sjelljet e njeriut përgjatë jetës si i rritur. Në tërësi në këtë aspekt, studiuesit janë pajtuar se si aspekti gjenetik apo trashëgimia, ashtu edhe ai mjedisor apo ambienti në të cilin rritet fëmija, kanë peshë apo influencë të njëjtë në përcaktimin e tipareve të cilat më pas do të jenë pjesë e individit gjatë gjithë jetës.

Nisur nga kjo, mund të kuptojmë lehtësisht se sa e rëndësishme është mënyra se si prindërit udhëheqin, edukojnë dhe rrisin fëmijët, sidomos duke patur parasysh faktin se gjatë viteve të para të jetës prindërit përbëjnë mjedisin kryesor në të cilin fëmija rritet e zhvillohet.

Për këtë arsye edhe psikologët e zhvillimit kanë bërë studime e hulumtime të shumta, për të arritur të kuptojnë se si ndikon mënyra e prindërimit në formësimin e tipareve tek fëmijët. Bazuar në dekada studimesh, njihen katër tipe apo stile kryesore të prindërimit, të cilat fillimisht janë përcaktuar nga psikologia Diana Baumrind dhe më pas janë përpunuar nga Maccoby and Martin.

 

1 – Stili autoritativ / demokratik

Ky stil prindërimi është i ngrohtë, pranues dhe i ndjeshëm ndaj emocioneve ndjenjave të fëmijës. Këta prindër arrijnë të vendosin rregulla dhe kufij të qartë në marrëdhënie me fëmijën dhe kanë pritshmëri të larta për arritjet dhe zhvillimin e fëmijës, të cilat i vendosin bashkarisht në diskutim. Këta prindër i shohin fëmijët si të barabartë dhe si individë të veçantë, janë mbështetës ndaj veprimeve të fëmijëve dhe e inkurajojnë iniciativën dhe pavarësinë tek fëmijët.

Ky raport i ngrohtë e mbështetës nga ana e prindërve, rezulton në fëmijëri të lumtur, fëmijë që zhvillojnë pavarësinë, vetëbesimin e vetëvlerësimin dhe që në të njëjtën kohë janë më social gjatë ndërveprimeve me bashkëmoshatarët. Të dhënat gjithashtu tregojnë se në përgjithësi këta fëmijë kanë një shëndet më të mirë mendor, pra më pak elemente depresioni, ankth, etj.

2 – Stili autoritar

Ky stil dallon dukshëm prej stilit të mësipërm të prindërimit. Karakteristikë tipike e këtij lloji të prindërimit është dhënia e urdhrave. Edhe këta prindër kanë kërkesa, pritshmëri e rregulla ndaj fëmijëve, por në ndryshim nga stili i mësipërm, ata kërkojnë bindje të verbër ndaj çdo urdhri që japin. Zakonisht këta prindër tentojnë të përdorin një disiplinë të ashpër dhe shpesh madje edhe të ndëshkojnë fëmijët me qëllim të disiplinimit dhe kontrollimit të sjelljes së tyre. Është e kuptueshme se këta prindër nuk janë reagues pra nuk përgjigjen ndaj nevojave të fëmijëve.

Kjo marrëdhënie në përgjithësi rezulton me një fëmijëri të palumtur, mungesë të pavarësisë dhe sigurisë si dhe me një vetëvlerësim e vetëbesim të ulët. Në të njëjtën kohë këta fëmijë nuk kanë aftësi sociale të pasura sa i përket ndërveprimeve me moshatarë dhe mund të kenë prirje për probleme të shëndetit mendor në të ardhmen siç mund të jetë ankthi i vazhdueshëm, delikuenca apo përdorimi i substancave narkotike.

3 – Stili lejues / tolerant

Ndryshe nga dy stilet e mësipërme, këta prindër vendosin shumë rregulla dhe barriera për fëmijët e tyre. Ata tentojnë të mos thonë asnjëherë “jo” dhe të mos zhgënjejnë apo mërzisin fëmijët duke krijuar një raport që ngjan më shumë si shok/shoqe se sa si prind i cili e ka edhe përgjegjësinë për rritjen dhe mirëedukimin e fëmijëve. Këta prindër janë shumë “të butë” dhe reagojnë e përgjigjen menjëherë ndaj nevojave e ndjenjave të fëmijëve, duke u dorëzuar përballë kërkesave të tyre.

Kjo marrëdhënie bën që fëmijët të jenë të pamësuar me ndjekjen e rregullave, të kenë një kontroll të keq apo të dobët të vetes (pra mungon vetëdisiplina) dhe papërgjegjshmëri. Këta fëmijë mund të kenë po ashtu prirje për tu rebeluar në rast se nuk e arrijnë qëllimin e tyre. Në të njëjtën kohë edhe këta fëmijë mund të karakterizohen në të ardhmen nga vështirësi të lidhura me shëndetin mendor si abuzimi me substanca, sjellje asociale, etj.

4 – Stili neglizhues

Prindërit neglizhues as nuk vendosin kufij në rritje dhe disiplinim të fëmijëve e as nuk kanë standarde për këtë proces. Zakonisht këta prindër janë indiferentë dhe të papërfshirë ndaj ndjenjave dhe nevojave të fëmijëve, nuk ndërveprojnë me ta dhe kanë shumë pak përfshirje në jetën dhe çështjet e rëndësishme të lidhura me jetën dhe zhvillimin e fëmijëve. Në këto rrethana, mund të thuhet se praktikisht fëmijët rriten vetë e pa udhëheqjen e nevojshme prindërore.

Në mungesë të kujdesit prindëror, zakonisht këta fëmijë janë më impulsiv, priren të izolohen nga shoqëria dhe kanë po ashtu edhe probleme të shëndetit mendor si për shembull mund të përjetojnë depresion apo të përfshihen në sjellje delinkuente.

Sigurisht që nga stilet e lartpërmendura, stili autoritativ ose demokratik, është më i përshtatshmi për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndoshë e mbështetëse me fëmijën, e cila është në funksion dhe ka qëllim mirërritjen dhe mirëedukimin e fëmijës.

Megjithatë në përgjithësi në mënyrat e prindërimit ekziston një stil që dominon por që kombinohet edhe me elementë të stileve të tjera. Për prindërit është e rëndësishme të kuptojnë se mënyra e sjelljes, qëndrimet, mbështetja dhe të qenit pranë fëmijës, janë thelbësore dhe formojnë tiparet që do të shoqërojnë fëmijën gjatë gjithë jetës.

*Kjo fotografi është realizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes nga UNFPA zyra në Kosovë në bashkëpunim me PEN dhe është publikuar në këtë faqe me pëlqimin e organizatës anëtare të KOMF, PEN.

Komente

Ende nuk ka komente të shtuara