logo

Shëndeti në zhvillimin gjatë fëmijërisë së hershme

Zhvillimi i shëndetshëm i fëmijës përgjatë viteve të fëmijërisë së hershme është e drejtë e çdo fëmije. Ky zhvillim fillon duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për nënat gjatë shtatzënisë, lindjes dhe muajve dhe viteve të para të jetës së fëmijës. Ofrimi i mbështetjes gjatë viteve të hershme është thelbësor për zhvillimin e fëmijës.

Kujdesi shëndetësor duke përfshirë këtu kontrollet mjekësore, vaksinimin, ushqimin e shëndetshëm dhe mbështetjen e nevojshme gjatë fëmijërisë së hershme, mundësojnë që të ndërtohet një themel i fortë i një fëmije. Kështu i mbrojmë ata nga sëmundjet që mund të shfaqen më vonë dhe sigurojmë mirëqenie gjatë gjithë fëmijërisë, adoleshencës dhe moshës së rritur.

Gjashtë vitet e para të jetës së njeriut karakterizohen me rritje dhe zhvillim të shpejtë fizik dhe mendor. Për këtë arsye është tejet e rëndësishme që fëmijës t’i bëhen kontrollet e rregullta shëndetësore. Gjatë vizitave të rregullta, ju do të mësoni rreth rritjes së foshnjës, shtimit në peshë, shëndetit dhe vaksinimit, dhe poashtu nëse foshnja juaj po zhvillohet normalisht. 

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të gjitha gratë dhe të porsalindurit të marrin një kontroll shëndetësor brenda dy ditëve pas lindjes. Çështje thelbësore të kujdesit pas lindjes përfshijnë, por nuk kufizohen në, kujdesin për temperaturën dhe kordonin, këshillimin për gjidhënien, vlerësimin e temperaturës së foshnjës, matjen e peshës së foshnjës dhe këshillimin e nënës për të porsalindurit.

Gjatë dy viteve të para të jetës së fëmijës, orari tipik i vizitave në Kosovë është: në javën e parë, muajin e parë, muajin e dytë, muajin e katërt, muajin e gjashtë, muajin e nëntë, muajin e dymbëdhjetë, muajin e pesëmbëdhjetë, muajin e tetëmbëdhjetë dhe muajin e njëzetekatër. Rritja fizike dhe zhvillimi mendor janë disa nga çështjet që do të trajtojë profesionisti shëndetësor gjatë kontrolleve shëndetësore. Një pjesë e zakonshme e çdo vizite, është edhe matja e rritjes së fëmijës që mundëson pediatrin të masë peshën dhe gjatësinë e fëmijës. Në këto kontrolle do të bëhet ekzaminimi fizik, zhvillimi i përgjithshëm fizik dhe mendor, duhet të ofrohen këshilla për të ushqyerit dhe këshillat për mirërritjen e fëmijës.

Shumë sëmundje gastrointestinale, të zemrës, veshkave dhe sëmundje infektive mund të paraqiten për shkak të ngecjes së zhvillimit në fëmijëri të hershme. Duke monitoruar rritjen e një fëmije, mjekët mund të adresojnë një mori sëmundjesh shumë më herët, t’i parandalojnë apo dhe t’i trajtojnë me kohë.

Përveç kësaj, gjatë kontrolleve në fëmijërinë e hershme, fëmija juaj do të marrë vaksinat e planifikuara rregullisht, të cilat ndihmojnë në parandalimin e një mori sëmundjesh. Vaksinat jo vetëm që mbrojnë fëmijën por gjithashtu ndihmojnë në mbrojtjen e brezave të ardhshëm nga sëmundjet. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të gjithë fëmijët të vaksinohen kundër tuberkulozit, difterisë, tetanosit, pertussis (kolla e keqe), poliomielitit, fruthit, hepatitit B, hemofilus influenza e tipit b, sëmundjes bakteriale pneumokoksike, rotavirusit dhe rubeolës. Për të parë kalendarin e obliguar të vaksinimit në Kosovë, klikoni këtu https://niph-rks.org/kalendari-i-obliguar-i-vaksinimit-kosove-20182019/?print=pdf

Gjithashtu, gjatë kësaj kohe një rëndësi të madhe për fëmijën ka edhe zhvillimi i trurit, i cili më së shumti zhvillohet deri në moshë 3 vjeçare. Për këtë fëmija ka nevojë për ushqyerje të mirë, kujdes për shëndetin dhe marrëdhënie të mira me prindin apo kujdestarin. Zhvillimi i trurit është i ndikuar gjenetikisht mirëpo ndryshon varësisht cilësisë së mjedisit, sidomos tek foshnjat që lindin para kohës. Në tre vitet e para të jetës, truri formon lidhjet midis qelizave të trurit dhe kështu formohet baza e emocioneve, aftësive motorike, kontrolli i sjelljes, logjikës, gjuhës dhe kujtesës. Në këtë moshë, truri i fëmijëve është 2.5 herë më aktiv se sa truri i të rriturve. Zhvillimi i trurit tek një fëmijë, ndikon në shëndetin fizik dhe mendor dhe sjelljen gjatë gjithë fëmijërisë dhe moshës së rritur. Prandaj, është shumë e rëndësishme që gjatë kësaj kohe t’i kushtojmë rëndësi rritjes sa më të shëndetshme të fëmijëve.

Këtu hyn edhe ushqyeshmëria e duhur në moshë të hershme. Ushqimi që nëna përdor gjatë shtatzënisë dhe në vitet e para të jetës së fëmijës, duhet të jetë i shëndetshëm dhe i larmishëm. Ky ushqim duhet të përmbajë përbërësit ushqimor esencial si p.sh. proteina, yndyrat e nevojshme dhe të pasura me energji, vitaminën A në mënyrë që t’i ndihmojë fëmijës në luftimin e sëmundjeve. Prania e jodit gjithashtu ndihmon në zhvillimin e shëndetshëm të trurit të fëmijës dhe ushqimi i pasur me hekur mbron aftësitë mendore dhe fizike të fëmijës.

Shëndeti i fëmijëve është investim dhe jo shpenzim, prandaj është përgjegjësi e të rriturve që të kujdesen për shëndetin e fëmijëve duke përfshirë, prindërit, familjet, punonjësit shëndetësor, mësuesit, kujdestarët, punëtorët social e të tjerët, të cilët janë faktorë të jashtëm që ndikojnë në zhvillimin e fëmijës në periudha të veçanta të jetës.

Të dhëna për shëndetin e fëmijëve në fëmijërinë e hershme bazuar në Anketën e Treguesëve të Shumëfishtë të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF në vitin 2020:

  • 73 përqind e fëmijëve të moshës 24-35 muaj në Kosovë kanë marrë të gjitha vaksinat sipas kalendarit të imunizimit.
  • Vetëm 38 përqind e fëmijëve që jetojnë në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptianë janë vaksinuar plotësisht.
  • Statusi ekonomik i familjes është i lidhur me vaksinimin e plotë: 4 në 5 fëmijë të moshës 24– 35 muaj që jetojnë në familjet më të pasura në Kosovë janë plotësisht të vaksinuar, krahasuar me 3 në 5 fëmijë që jetojnë në familjet më të varfra.
  • 9 në 10 të posalindur në Kosovë kishin të paktën 2 kontrolle shëndetësore brenda 2 ditëve pas lindjes, përderisa vetëm 3 nga 10 fëmijë u vunë në kontakt me lëkurën e nënës menjëherë pas lindjes.
  • 3 në 4 të posalindur kishin një kontrollë shëndetësore pas lindjes nga një ofrues i shërbimit shëndetësor brenda javës së parë pasi ishin lëshuar nga spitali, ndërsa 1 në 3 e pritën vizitën pas javës së parë pas largimit nga spitali.

Komente

Ende nuk ka komente të shtuara