logo

Rëndësia e leximit në zhvillimin në fëmijërinë e hershme

Fëmijët vazhdimisht mësojnë, që nga lindja. Përvojat që ata kanë çdo ditë ndihmojnë për të formuar një themel për zhvillimin e shëndetshëm dhe rritjen e tyre. Foshnjat fillojnë të mësojnë që nga lindja. Foshnjet mësojnë tinguj dhe pamje të reja çdo ditë dhe janë veçanërisht të etur për të dëgjuar zërin e nënës, babait ose kujdestarit/es. Flitini, këndojini foshnjes suaj, kështu ju mund të siguroni stimulimin që i nevojitet.

Leximi, tregimi i përrallave dhe këndimi përveç që është kënaqësi, ndihmon në zhvillimin e fëmijës suaj në shumë mënyra. Leximi ndihmon fëmijën tuaj të njohë fjalët, të zhvillojë imagjinatën dhe fantazinë, si dhe të rrisë aftësitë e hershme të shkrim-leximit. Leximi nxit zhvillimin e trurit, mëson fëmijën për të folurit dhe shprehurit e emocioneve si dhe fuqizon marrëdhënien tuaj me fëmijën. Të lexuarit ndikon në zhvillimin kognitiv, atë social dhe zhvillon empatinë tek fëmijët. Po ashtu, leximi ndihmon në zhvillimin e imagjinatës së fëmijës mbi botën, rrit përqëndrimin, ndihmon fëmijën të bëjë dallimin mes botës reale dhe asaj imagjinare, si dhe krijon shprehinë e të lexuarit.

Ju mund t’i lexoni fëmijës përralla, tregime, t’i tregoni libra me figura, apo t’i këndoni këngë. Fëmijët kënaqen me libra, përralla dhe këngë.

Ju mund tu lexoni fëmijëve libra në kohën e gjumit, në autobus, në makinë, në park, përderisa jeni duke pritur për një kontroll shëndetësore etj. Çdo kohë është një kohë e mirë për tu rrëfyer një tregim apo një përrallë! Ju mund t'i bëni librat pjesë të rutinës suaj të përditshme, prandaj merrini me vete për t'i lexuar ato kudo.

Zgjidhni libra që kanë përmbajtjen e duhur për moshën dhe zhvillimin e fëmijës tuaj, si dhe bazuar në preferencat e fëmijës suaj.

Mundohuni tu lexoni apo këndoni të paktën një tregim, përrallë ose këngë çdo ditë, kështu ju do të kaloni kohë cilësore dhe argëtuese së bashku si dhe do ndihmoni në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës suaj.

Të dhëna mbi të lexuarit dhe stimulimin në fëmijërinë e hershme në Kosovë:

Bazuar në Anketën e Treguesëve të Shumëfishtë të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF në vitin 2020, vetëm 27% e fëmijëve nën 5 vjeç në Kosovë kanë mbi 3 libra në shtëpi.

Fëmijët e kësaj moshe nuk marrin stimulimin e duhur të nevojshëm në mjedisin familjar, ku vetëm 46 përqind e nënave dhe vetëm 10 përqind të baballarëve përfshihen në aktivitete që promovojnë të mësuarit në shtëpi.

Komente

Ende nuk ka komente të shtuara