logo

Rëndësia e zhvillimit të aktiviteteve me fëmijët

Tani më është e ditur që çdo aktivitet/lojë ndikon në ndërtimin e një baze të rëndësishme për disa nga fazat e zhvillimit të fëmijës. Ajo promovon aftësitë motorike fine ose aftësitë motorike globale, të mësuarit e ngjyrave dhe formave, si dhe ndihmon në zhvillimin e të folurit.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ju bën thirrje juve prindër dhe kujdestarë,  që të zhvilloni sa më shumë aktivitete edukative dhe argëtuese me fëmijët tuaj. Në këtë mënyrë, do të kaloni momente më atraktive dhe të shëndetshme për zhvillimin tërësor të fëmijëve.

Me qëllim që ta kaloni këtë kohë në mënyrë sa më produktive me fëmijët tuaj në familje, në rubrikën “Aktivitete” në këtë faqe, mund të gjeni aktivitete për fëmijë të moshave të ndryshme. Kjo do të shërbejë si një mbështetje për prindërit dhe kujdestarët për angazhim në aktivitete/lojëra që synojnë të nxisin shkathtësitë e fëmijëve dhe ndihmojnë zhvillimin e tyre.

Në rubrikën “Aktivitete” ofrojmë një numër të madh aktivitetesh, që mund të realizohen lehtë si në shtëpi ashtu edhe jashtë saj dhe shumica prej tyre mund të realizohen me gjësende shtëpiake, me kosto të ulët dhe lodra ose gjëra që shumë lehtë mund t’i bëni edhe vetë. Në këtë mënyrë, ne duam t'ju tregojmë se nuk keni nevojë të blini lodra të shtrenjta për zhvillimin e duhur të fëmijës suaj, por të përdorni gjëra që ndoshta shumica prej nesh tashmë i kemi si: letër, lugë, pjatë, revistë, gota, drithëra, miell, ose gjëra që nuk janë aq të shtrenjta, siç janë ngjyrat e ujit, letrat me ngjyra, topat, etj.

Aktivitetet në këtë faqe janë konceptuar për të zhvilluar edhe më tej kapacitetin njohës të fëmijës, stimulimin sensorik (shqisor), aftësitë motorike, etj. Mbi të gjitha, kjo do të jetë një kohë relaksuese e argëtuese mes prindërve dhe fëmijëve, e cila do t’i ndihmojë ata në reduktim të nivelit të stresit dhe do ju ofroj më shumë qetësi e ekuilibër emocional.

Në seksionin “të mësuarit” të secilit aktivitet, do të gjeni se çfarë mëson fëmija përmes aktivitetit. Çdo aktivitet/lojë mund të modifikohet me moshën dhe aftësitë e fëmijës suaj, si dhe të adresohet për nevojat e zhvillimit të fëmijës. Ju mundeni që çdo aktivitet ta zhvilloni në një nivel më të vështirë duke shtuar udhëzime më komplekse, si dhe ta lehtësoni atë. Aktivitetet janë këtu për t'ju frymëzuar. Nëse nuk keni një printer, mund të vizatoni diçka të thjeshtë vetë. Nëse nuk i keni të gjitha gjërat që kërkohen, mund t'i zëvendësoni me diçka tjetër.

Nëse jeni edukator/e, do të zbuloni se ka edhe shumë aktivitete për grupe fëmijësh, me disa nga lojërat e që janë të destinuara për ekipe.

Komente

Ende nuk ka komente të shtuara